Site icon Telegrafi

Haradinaj: Duhet ta bëjmë Kosovën 100% shtet

​Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj tha sot se Kosova ende nuk është bërë 100 për qind shtet dhe për këtë, sipas tij nuk ia vlen të ketë hezitime që për pak të lihet pa e përmbush 100% shtetësinë.

I pari i qeverisë në dorëheqje, duke aluduar në presidentin Thaçi, bëri thirrje të gjithë atyre që janë lodhur nga sfidat e shtetësisë, të hapin rrugë me përfundimin e shtetësisë së Kosovës, pasi siç tha ai nuk është marre t’u jepet hapësirë të tjerëve.

Haradinaj u shpreh se Kosova ka kaluar në shumë sfida për t’u bërë shtet, teksa tha se për këtë është në interes që Kosova të bëhet 100% shtet.

“A ia vlen me hezitu sot, që pas gjithë kësaj rruge, gjithë kësaj sakrifice, pas gjithë këtij çmimi. A ia vlen sot me hezitu që me lan pak pa e kry sot shtetin. Do të ishte diçka e pashpjegueshme që ne, nëse e afrojmë qoftë deri në 99 për qind, por nuk e bëjmë 100 për qind shtet Kosovën. Nuk ishte falë prej brezave nuk na kish falë askush. Nuk na falin miqtë, nuk na dojnë. Punë e pakryme, ju e dini kur kemi fillu me thanë ‘bac u kry’, ‘bac u kry’. Pra ende nuk e kemi kry. Unë kam dëshirë që pa asnjë arrogancë të teprume me iu thanë vëllezërve dhe motrave të mijë që është në interes tonin me kry Kosovën 100 për qind dhe me bashku shtetin tonë”, tha Haradinaj.

Ai iu kërkoi atyre që, jeta dhe sfidat i kanë lodhur, të hapin rrugën në procese.

“Ata që jeta dhe sfidat i lodhin nuk është marre me liru rrugën, me hap krahë në procese. Pra ata që nuk janë lodhë edhe që besojnë në të drejtën tonë me qenë shtet të bashkohemi t’i kryejmë punët e atdheut tonë”, tha Haradinaj.

Këto komente ai i bëri me rastin e 21 vjetorit të Betejës së Markalleshëve dhe rënies së dëshmorëve Mark Lleshi, Prend Lleshi, Kolë Lleshi dhe Memë Lleshi ku është mbajtur një tubim përkujtimor në Vraniq të Gjakovës.

Me këtë rast, Haradinaj tha se Kosova duhet të merr shembullin e familjes së Markalleshëve.

“Nëse shërbehemi me shembullin e kësaj familje, rruga jonë do të jetë e lehtë, pa asnjë dilemë nuk do të kemi hezitime dhe do të arrijmë këtë rrugë së bashku. Uroj që këtë shembull, këtë sakrificë Markalleshëve të gjitha brezave të Markalleshve të betejës së 7 gushtit të shërbehemi si komb”, tha ai./kp/Telegrafi/

Exit mobile version