Site icon Telegrafi

Haradinaj: Duhet komunikim ndërmjet institucioneve, Kuvendi të kyçet në procesin e dialogut me Serbinë

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj tha sot pas mbledhjes së Qeverisë se dialogu me Serbinë është tema më e ndjeshme, në kohën kur është edhe faza finale e dialogut.

Haradinaj në një konferencë për media, duke folur rreth transparencës në dialog tha se është mirë të krijohet një protokoll i qëndrueshëm i komunikimit ndërmjet institucioneve dhe ekipit të Kosovës në dialog.

Ai tha se duhet të gjendet një formulë, pasi zakonisht presidenti nuk raporton në Parlament, përveç asaj që një herë në vit i adresohet Kuvendit.

“Është me rëndësi që partitë parlamentare, edhe ato të opozitës dhe të komuniteteve ta kenë një instrument komunikimi dhe ta dinë të vërtetën për dialogun”, tha Haradinaj.

Kreu i ekzekutivit të vendit tha se është shumë me rëndësi transparenca në dialog dhe përfshira e Kuvendit në dialog.

“Mendoj se është shumë me rëndësi që parlamenti të kyçet direkt në proces”, tha Haradinaj.  /Telegrafi/

Exit mobile version