Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka sqaruar çështjen e punëtorëve të Fabrikës së Gypave në Ferizaj, të cilët nuk morën paratë nga Qeveria e Kosovës, ani pse për këtë pati vendim nga gjykata.
Haradinaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarime lidhur me obligimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në zbatimin e Aktgjykimit në Rastin KI-08/09, përkitazi me statusin e punëtorëve të Fabrikës së Gypave në Ferizaj.
Postimi i plotë i Haradinajt në Facebook.
“Në vazhdën e angazhimeve të mia për t’i adresuar kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, sot, i jam drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarime lidhur me obligimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në zbatimin e Aktgjykimit në Rastin KI-08/09, përkitazi me statusin e punëtorëve të Fabrikës së Gypave në Ferizaj.
Është e domosdoshme që te kemi qartësi në të drejta dhe obligime për zbatimin e vendimeve gjyqësore nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës”. /Telegrafi/