Telegrafi

Haradinaj i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, kërkon nga Thaçi shpalljen e zgjedhjeve

Kryeministri në dorëheqje i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se sot ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretim të aktit të dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit të vendit dhe definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë, pas këtij akti.

Siç ka shkruar Haradinaj në Facebook, përcjell Telegrafi, qëllimi i kërkesës është, që jo vetëm të kërkohet sqarim për situatën juridike të krijuar pas dorëheqjes, dhe me këtë, të shmanget vakuumi institucional, por edhe që ky interpretim nga Gjykata Kushtetuese t’i qartësojë situatat e ngjashme në të ardhmen.

“Dërgimi i kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese është dëshmi e përgjegjësisë institucionale, që Qeveria të veprojë brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor, e si pasojë, të mos lejojë vakuum institucional deri në zgjedhjen e Qeverisë së re. Shpresoj se për shkak të urgjencës Gjykata do te vendosë shpejt. Cilido të jetë ai vendim unë do ta respektoj”, ka shkruar Haradinaj.

Lexo po ashtu Hasani thotë se Haradinaj kot i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Në të njëjtën kohë, ai i ka bërë thirrje presidentit të Republikës së Kosovës, Parlamentit dhe partive politike që të ndërmarrin veprimet e duhura për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Sot kam dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese Kërkesën për interpretim të aktit të dorëheqjes sime nga posti i Kryeministrit të vendit dhe definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas këtij akti.

Qëllimi i kërkesës është, që jo vetëm të kërkohet sqarim për situatën juridike të krijuar pas dorëheqjes sime, dhe me këtë, të shmanget vakuumi institucional, por edhe që ky interpretim nga Gjykata Kushtetuese t’i qartësojë situatat e ngjashme në të ardhmen.

Dërgimi i kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese është dëshmi e përgjegjësisë institucionale, që Qeveria të veprojë brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor, e si pasojë, të mos lejojë vakuum institucional deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

Shpresoj se për shkak të urgjencës Gjykata do te vendosë shpejt. Cilido të jetë ai vendim unë do ta respektoj.

Në të njëjtën kohë, i bëjë thirrje Presidentit të Republikës së Kosovës, Parlamentit dhe partive politike që të ndërmarrin veprimet e duhura për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare. /Telegrafi/