Pas vizitës në Selinë e Shenjtë, takimit me Papa Françeskun dhe Kardinalin Pietro Parolin, që është edhe sekretar i Vatikanit, kryeministri i së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka mbajtur një konferencë për gazetarë, ku ka prezantuar qëllimin e vizitës e që ishte kërkesa e popullit të Kosovës për njohjen e Republikës së Kosovës nga Vatikani.
Në fjalën e tij para mediave të pranishme kryeministri Haradinaj tha se e ka falënderuar Papa Françeskun për kujdesin dhe respektin që ka për Kosovën dhe popullin e saj.
Poashtu, kryeministri Haradinaj tha se pas kërkesës që i dorëzova, Papa Françesku u shpreh ‘E kam në zemër popullin e Kosovës, e ndjejë. Do të lutem për ju, do të lutem personalisht për ju dhe për vendin tuaj’, në të njëjtën kohë u shpreh se ka shumë shpresë se Kosova dhe populli i Kosovës do ta gjej vendin e vet, në vendin e popujve të lirë dhe në paqe.
Fjala e plotë e Kryeministrit Haradinaj në konferencë:
“Për respekt tuajin dhe të qytetarëve në përgjithësi, por edhe të takimeve dhe temave të trajtuara, kam ftuar këtë konferencë për shtyp pas vizitës në Vatikan.
I shoqëruar edhe me disa kolegë, kam pas takim pune me eminencën e tij, Kardinalin Pietro Parolin, që është edhe sekretar i Vatikanit, në hierarkinë e shtetit të Vatikanit, ai është Kryeministër në Vatikan.
Në këtë takim pune që ka zgjatur më shumë se një orë, kemi biseduar për tema bilaterale Kosovë – Seli e Shenjtë. Kryesisht kanë dominuar temat, ato të parat, ato të ndjenjës së mirë që ka Kosova për Selinë e Shenjtë, të vlerave që kemi ne në tolerancën ndërfetare, respektin e ndërsjellë, përkushtimin që e kemi si vend për paqen në rajon dhe për anëtarësim në BE dhe organizata tjera ndërkombëtare, ashtu si, Interpoli dhe rëndësia që ka për ne njohja nga Vatikani, pesha që ka kjo njohje, njohje për shtetin tonë, duke falënderuar Vatikanin që kanë qenë të hapur gjithë kohën me ne, që nga koha e presidentit Rugova, Jahjaga, Thaçi, pra gjithkujt që ka pasur mundësinë me mbajt komunikim me Vatikanin. Shpreha gatishmërinë për një partneritet të tillë strategjik të Kosovës edhe në të ardhmen.
Njëkohësisht, me Papën, pra me Atin e Shenjtë, kam pas mundësinë për t’i treguar për Kosovën dhe e kisha përgatitur me kohë një dhuratë për të, një dhuratë shumë të çmuar, një letër kërkesë për njohje, me një mbulesë të logos së dhjetëvjetorit të pavarësisë.
Pata mundësinë përpos ta falënderoj për kujdesin, për respektin që bënë për Kosovën, me ja shpreh edhe këtë kërkesë të popullit të Kosovës, duke i thënë se populli i Kosovës e ka shpresën tek ju, i ka sytë kah ju dhe pret prej juve.
Ai ishte vërtetë i hapur pasi që mori kërkesën u kthye dhe më tha këto fjalë ‘E kam në zemër popullin e Kosovës, e ndjejë. Do të lutem për ju, do të lutem personalisht për ju dhe për vendin tuaj’. Ai ka shumë shpresë se Kosova dhe populli i Kosovës do ta gjej vendin e vet, në vendin e popujve të lirë dhe në paqe.
Pra kryesisht biseda kishte këtë qëllim, të marrjes së njohjes apo të kërkimit të njohjes. Dua t’ju them se edhe unë kam bërë kujdesin më të madh që si Kosovë të shpjegojmë se çka fiton familja evropiane me Kosovën? Çka fiton BE-ja nëse në jepet liberalizimi i vizave? Që nuk fiton as krim, as rreziqe, as emigrant, por vetëm shkëmbime. Çka fiton bota nëse ne bëhemi anëtar të Interpolit? Fitojnë më shumë siguri, më shumë garancë për jetë të qetë, më shumë mbrojtje nga çfarëdo krimi e rreziku. Dhe, njëkohësisht me njohjen e Kosovës fitohet një paqe e mirëfilltë dhe e qëndrueshme në Ballkan, për të gjithë. /Telegrafi/