Në forumin e nivelit të lartë për koordinimin e donacioneve të jashtme, kryeministri Ramush Haradinaj theksoi se populli i Kosovës është mirënjohës për donatorët dhe mjetet e dërguara në Kosovë për 20 vjet.
Kryeministri Haradinaj tha se falë kësaj përkrahjeje, Kosova është vend më i jetueshëm dhe ka progres edhe në aspektet reformative.
Haradinaj pati edhe një porosi për donatorët.
“Mos u zhgënjeni nga ndonjë lëshim që mund të ketë në Kosovë, ose mos e zbehni përkrahjen për Kosovë. Nuk keni krijuar parazit por keni nxitë përparim”, tha Haradinaj.
Haradinaj ndër të tjera premtoi Qeveria e tij do të ndajë mjete për katedralen Notre Dame e cila u dogj ditë më parë.
Ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha theksoi se si shtet më i ri dhe më proevropian është duke zbatuar MSA për t’i hapur rrugë integrimeve evropiane.
“Sigurisht që kemi sfida para nesh sikur cdo shtet në botë, mirëpo kemi synuar që mjetet e donacioneve të jenë të destinuara dhe të implementuara në projekte adekuate”, theksoi Hoxha.
Përfaqësuesja e BE për Kosovës Natalya Apostolova tha se donacionet e BE që janë rreth 100 milionë euro në vit, janë të destinuara për sundimin e ligjit, për ekonomi, për arsim, për bujqësi dhe energji.
“Këto donacione vërtetë kanë ndihmuar jetët e qytetarëve në Kosovë. Ky forum është një mundësi të shohim arritjet dhe planifikimet për të ardhmen”, tha Apostollova./KP/