Site icon Telegrafi

Haradinaj: Dita kur do t’i bashkohemi familjes evropiane nuk është e largët

Të rinjtë e Kosovës duhet të dinë që ne do t’i takojmë familjes së madhe evropiane, familjes qindra milionëshe. Dhe kjo ditë nuk është e largët, këtë duhet ta dini. Koha po shkon shpejt, dhe besojmë se këtë vit do ta marrim lajmin e drejtë dhe të merituar për liberalizimin e vizave, por nuk duhet të shkoj në pakufi edhe pozicioni i Kosovës për t’u bërë anëtarë i BE-së, sepse këtë e meritojmë dhe është e drejtë e jona.

Kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në bashkëbisedimin me të rinjtë, me temën “Ardhmëri-Zhvillim-Perspektivë”, “Çka nënkupton integrimi evropian për të rinjtë e Kosovës”, që u organizua nga Ministria e Integrimit Evropian në shënim të Ditës së Evropës.

Haradinaj tha se Evropa është pak skeptike në zgjerim, pra nuk është aq entuziaste në zgjerim, por këtë skepticizëm nuk e ka të lidhur me Kosovën, por për shkak të proceseve të veta të brendshme.

“Njëkohësisht, Kosovën nuk e ka njohur Serbia dhe pesë vendet e BE-së dhe për këtë arsye për Brukselin është më i vështirë partneriteti me Kosovën. Megjithatë, edhe pse ka pasur një lodhje vitin që shkoi në marrëdhëniet Kosovë-BE, mendoj se e kemi rikthyer dinamikën  Kosovë-BE , dhe raporti i fundit i progresit për vendin është konfirmim se Kosova është në hartë, është pjesë e vendeve të Ballkanit dhe rinia  e Kosovës nuk janë të pabarabartë. Në fakt jemi më të vonuar, por jo të pabarabartë, dhe ne tash jemi në një etapë kur dikur kanë qenë vendet tjera, Shqipëria, Mali i Zi apo Maqedonia”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri u tha të rinjve, se edhe pas marrjes së liberalizimit të vizave nuk duhet të gabojnë me veprime të cilat do të mund të ndikonin tek BE-ja në ndaljen e vizave, pra duhet të jemi shumë të kujdesshëm në udhëtime dhe veprime.

Në këtë debat nga një fjalë para të rinjve, e kanë mbajtur edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ministrja Dhurata Hoxha dhe shefja e Zyrës së BE-së/përfaqësuese speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova. /Telegrafi/

Exit mobile version