Site icon Telegrafi

Haradinaj: Diaspora e gjallëron jetën në Kosovë, qeveria t’i mundësojë lëvizje pa kufizime

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore që të largojnë ndalesën e qarkullimit deri pas festave të fundvitit.

Haradinaj ka thënë se kjo do të mundësonte qarkullimin e lirë të bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit, e që po hasin në vështirësi të arrijnë në shtëpitë e tyre

“Festat e fundvitit e gjallërojnë jetën në Kosovë, familjet tona dhe po ashtu ekonominë e vendit. Zakonshëm po ndodh edhe këtë vit, pavarësisht rrethanave pandemike, sikurse edhe në rrethanat e vështira historike për shqiptarët, mijëra bashkatdhetarë ia kanë mësyrë Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në një postim në Facebook.

“Apeloj tek institucionet e vendit, që të hiqet ndalesa e qarkullimit, të paktën deri pas festave. Kjo do mundësonte qarkullimin e lirë të motrave e vëllezërve tonë që jetojnë jashtë vendit, e që po hasin në vështirësi të arrijnë në shtëpitë e tyre. Mirë se vini bashkatdhetarë! Atdheu ju mirëpret!”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/

Exit mobile version