Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e përgjithshme në vend.
Duke uruar ambasadorin Orlando për detyrën e re, kryeministri në detyrë Haradinaj vlerësoi përkrahjen e Italisë në periudhat më të rëndësishme për Kosovën, i bindur në thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit me Italinë, si një ndër partnerët strategjik për vendin tonë.
“Italia ka dhënë një kontribut të veçantë, si në zhvillimin ekonomik, ashtu edhe në mbrojtjen dhe ofrimin e sigurisë në kuadër të trupave paqeruajtëse të KFOR-it. Kjo përkrahje duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen në proceset e rëndësishme për vendin tonë, liberalizimin e vizave, por edhe në rrugën e integrimit në BE dhe në NATO”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.
Me këtë rast, Haradinaj, e njoftoi ambasadorin e ri italian edhe për vendimet që ka marrë Qeveria për krijimin e një ambienti të favorshëm për investimet e huaja, duke ftuar investitorët italianë që potencialin e tyre ta orientojnë në Kosovë.
Ambasadori i ri i Italisë, Nicola Orlando, falënderoi kryeministrin në detyrë Haradinaj për pritje, duke theksuar gatishmërinë për bashkëpunim në të gjitha fushat me interes të përbashkët dhe mbështetjen e vendosur të Italisë për perspektivën euroatlantike të Kosovës. /Telegrafi/