Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në 31-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, ka thënë se kjo datë do të mbetët gjithmonë në kujtesën historike.
Ai u shpreh se as forca e armëve e as zhurma e tankeve nuk i firkësoi Delegatët e Pavarësisë.
“Në kohë shtetrrethimi, ata kishin guximin që të vendosin gurin e parë, në themelin e një shteti që kishte nisur rrugën drejt pavarësisë”, shkruan Haradinaj.
I pari i AAK-së, shton se, “Ata nuk i frikësoi forca e armëve e as zhurma e tankeve. Ata i dërguan botës mesazhin e përcaktimit të shqiptarëve të Kosovës për liri e pavarësi. Ata janë “111 Delegatët e Pavarësisë”. 2 korriku përgjithmonë në kujtesën tonë historike”.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë solemne për shënimin e 31-vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990.
Seanca do të fillojë në ora 10:00.
Kjo seancë ka për qëllim shënimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë më të re të Kosovës, 2 Korrikun e vitit 1990, ditën kur 111 delegatë të Kuvendit të Kosovës, në rrethana të shtetrrethimit policor e ushtarak serb, para dyerve të ndërtesës së Kuvendit miratuan një nga dokumentet historike kushtetuese për statusin e ardhshëm politik të Kosovës: Deklaratën Kushtetuese për Kosovën, njësi e pavarur në kuadër të ish-Federatës së atëhershme të Jugosllavisë. /Telegrafi/