E plotësuar: Gjykata në Colmar të Francës ka shtyrë marrjen e vendimit për lirimin apo jo të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Pas përfundimit të seancës gjyqësore, Ramush Haradinaj para medieve ka thënë se vendimi është shtyre për 2 mars.
“Gjykata nuk ka marrë vendim sot, vendimin do ta jep më 2 mars, ne po shpresojmë që mos po merret më herët vendimi pasi që 2 marsi është larg. Kërkesa e ekstradimit të Serbisë është abuziv dhe i pabazuar, dhe këtë e di edhe Franca”, ka thënë Haradinaj, transmeton Telegrafi.
Ai ka theksuar se Serbia po abuzon me krejt përparësitë që ka për ta ndalë ose penguar Kosovën.
“Përgjigjen që e kanë marrë nga unë në vitet 98 e 99 do ta kenë gjithë”, tha Haradinaj./Telegrafi/
…………..
Nënkryetari i AAK-së, Gazmend Abrashi ka bërë të ditur për Telegrafin se vendimi për Ramush Haradinajn është shtyrë.
Sipas tij, vendimi për Haradinajn pritet të merret më 2 mars.
Avokatja Lindon prezanton faktet për lirimin e Haradinajt (Video)
E plotësuar: Prokuroria tashmë ka përfunduar fjalën e saj, ndërkaq mësohet se aktualisht është duke folur avokatja e Haradinajt, Rachel Lindon.
Ajo po paraqet faktet për lirimin e Haradinajt. Sipas saj, kërkesa e Serbisë për ekstradimin e tij brenda territorit të këtij shteti është e paligjshme dhe e pabazuar.
Gjykata e pyet për mundësinë e ekstradimit, Haradinaj refuzon
E plotësuar: Trupi gjykues e ka pyetur liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nëse do të pranonte të ekstradohej në Serbi në bazë të kërkesës së këtij shteti, por kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka refuzuar një gjë të tillë.
Në vazhdim të deklaratë së tij, Haradinaj ka thënë se rasti ndaj tij është plotësisht politik.
Se rasti është politik, Haradinaj e kishte thënë edhe në seancën e fundit gjyqësore ndaj tij.
Ndryshe, avokati i tij Arianit Koci në një intervistë për media ka shprehur besimin e tij se Haradinaj do të lirohet.
Nis seanca gjyqësore ndaj Haradinajt në Francë
E plotësuar: Ka filluar të mbahet seanca gjyqësore ndaj Ramush Haradinajt, ku pritet të shqyrtohet kërkesa e autoriteteve të Serbisë për ekstradim të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Haradinaj del para gjykatës në Francë
Së shpejti pritet të fillojë seanca në një gjykate franceze në Colmar, ku do të shqyrtohet kërkesa e autoriteteve të Serbisë për ekstradim të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai u ndalua nga autoritetet franceze më 4 janar të këtij viti në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia përmes INTERPOL-it.
Të pranishëm në seancë mësohet se janë përveç zyrtarëve të lartë të AAK-së, edhe gruaja e Haradinajt, Anita Haradinaj.
Video: Indeksonline