Site icon Telegrafi

Haradinaj deklarohet sërish pas takimit me Thaçin: Etapa e protagonizmave individuale ka marrë fund

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas takimit të sotëm me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, është deklaruar sërish duke thënë se do t’u drejtohet me ftesa individuale për takim të gjithë kryetarëve të partive parlamentare të Kosovës, për të filluar përgatitjet rreth Konferencës së Unitetit për Dialog.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, edhe njëherë ka sqaruar përmbajtjen e takimit me presidentin Thaçi, duke thënë t’ia ketë ia sqaruar qëndrimin e tij dhe të AAK-së “se vetëm unik e të bashkuar në interesin shtetëror, e forcojmë Kosovën përballë Serbisë”.

“Meqë as sot nuk u dakorduam për një material/qëndrim, në vazhdën e iniciativës sime të djeshme, do t’u drejtohem me ftesa individuale për takim të gjithë kryetarëve të partive parlamentare të Kosovës, për të filluar përgatitjet rreth Konferencës së Unitetit për Dialog, prej nga do të dalim me qëndrim unik politik, para se të na bëhet vonë”, ka thënë Haradinaj, transmeton Telegrafi.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Sot Presidentit Thaçi ia sqarova qëndrimin tim dhe të AAK-së se vetëm unik e të bashkuar në interesin shtetëror, e forcojmë Kosovën përballë Serbisë. Poashtu ritheksova bindjen e palëkundur se nëse Kosova prapë bëhet subjekt në biseda rreth territoreve, e jo palë e barabartë siç është sot me taksën 100%, i gjithë epilogu për marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë do të jetë i dështuar.

Meqë as sot nuk u dakorduam për një material/qëndrim, në vazhdën e iniciativës sime të djeshme, do t’u drejtohem me ftesa individuale për takim të gjithë kryetarëve të partive parlamentare të Kosovës, për të filluar përgaditjet rreth Konferencës së Unitetit për Dialog, prej nga do të dalim me qëndrim unik politik, para se të na bëhet vonë.

Etapa e protagonizmave individual ka marrë fund. Tani është koha e unitetit e bashkimit rreth Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Presidenti Thaçi ka takuar sot edhe liderët e partive te tjera politike parlamentare, më përjashtim të Albin Kurtit nga LVV dhe ato te komuniteteve joshumicë.

Lexo po ashtu Haradinaj flet pas takimit me Thaçin: Presidenti nuk tregoi ndonjë dokument nga takimet që kishte në SHBA
“]

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi javën e kaluar në një konferencë për media ka folur për takimin e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e të dërguarit të presidentit Donald Trump për dialogun, ambasadorit Richard Grenell. Thaçi ka thënë se takimi në Uashington paraqet moment kthese në dialogun ndërmjet dy vendeve me lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai ka kërkuar edhe nga Kryesia dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, që të thirret një seancë e jashtëzakonshme për të diskutuar në lidhje me takimin e tij me presidentin Vuçiq, në Uashington. /Telegrafi/

Exit mobile version