Site icon Telegrafi

Haradinaj: Deklarata e 2 Korrikut vuri bazat për shpalljen e pavarësisë

Kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi sot se Deklarata e 2 Korrikut 1990 u ka vënë bazë veprimeve të mëtejshme për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Ai këto komente i bëri pas takimit me një grup të delegatëve që nënshkruan Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut, me të cilët ka biseduar për temat në interes të vendit.

Ai tha se Qeveria e Kosovës do të mbështesë statusin e delegatëve të Kuvendit të atëhershëm nëse iniciativa ligjore kalon në Parlament.

“Ka një kosto modeste. Nuk është ngarkesë financiare, por është më shumë një nder që i bëhet kësaj kategorie”, u shpreh Haradinaj.

Ndërsa, Ilaz Ramajli, njëri prej delegatëve të Kuvendit të Kosovës të vitit 1990, falënderoi kryeministrin për kujdesin e treguar për ta shënuar 28-vjetorin e shpalljes së Deklaratës së 2 Korrikut.

“Kryeministri na njoftoi për disa çështje kyçe që janë politike dhe me rëndësi për vendin. Kosova është në një situatë shumë delikate. Janë diskutimet me Serbinë. Besoj se është i nevojshëm një unifikim i faktorit politik për të arritur qëllimin përfundimtar”, ka thënë ai.

Ndryshe, sot janë bërë 28 vjet që kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese të pavarësisë së Kosovës, e njohur si Deklarata e 2 Korrikut.

Në këtë ditë historike, Kosova është shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.

Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave e shpallën në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë, po edhe të komuniteteve të tjera të Kuvendit të Kosovës.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme socialiste në federatën jugosllave./KP/

Exit mobile version