Telegrafi

Haradinaj: Me buxhetin më të madh në historinë e saj, Kosova hyn në etapë të re zhvillimore

Pas miratimit të Buxhetit për vitin 2019, kryeministri Ramush Haradinaj ka premtuar se ky vit do të jetë vit i suksesit dhe zhvillimit për Kosovën.

“Me buxhetin më të madh në historinë e saj, Kosova hyn në etapë të re zhvillimore”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Me buxhetin më të madh në historinë e saj, Kosova hyn në etapë të re zhvillimore.

E përshëndes miratimin në lexim të dytë të Projektligjit për Buxhetin 2019 të Republikës së Kosovës. Me 2 miliardë e 370 milionë euro, ky është buxheti më i madh dhe më zhvillimor i deritanishëm i Kosovës, që do t’i paraprijë rritjes ekonomike prej 4.7 për qind.

Arsimi me rreth 300 milionë euro dhe shëndetësia me 234 milionë, janë sektorët që përfitojnë më së shumti.

Institucionet e sundimit të ligjit dhe mbrojtjes marrin mbështetje të shtuar financiare prej 6% krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar. Më shumë siguri dhe më shumë mbrojtje, edhe për qytetarët por edhe për investimet.

Investimet kapitale rriten për 11%, apo 75 milionë në raport me vitin 2018, duke mundësuar realizimin e shumë projekteve ekzistuese dhe të reja, si nxitje e madhe për zhvillim ekonomik dhe për sektorin privat.

Janë akomoduar mjetet për rritjen e pensioneve bazike 20%, për ato kontributdhënëse 15%, si dhe pensionet mujore prej 230 euro për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Urime Kosovë viti i kthesës ekonomike! /Telegrafi/