Site icon Telegrafi

Haradinaj: Beteja heroike e Koshares ka dëshmuar unitetin e luftëtarëve shqiptarë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare.

Gjatë tubimit përkujtimor që u mbajt për nder të Ditës së heqjes me luftë të kufirit Kosovë-Shqipëri, në kuadër të manifestimit Tradicional “Ditët e Shqipes 2018”, kryeministri Haradinaj tha se në rrugën tonë deri në liri kemi parë gjithë ato tmerre që i ka lufta, por kemi parë edhe trimëri të papërsëritshme të heronjve tanë.

“Ne krenohemi me heronjtë tanë si, Agim Ramadani, Sali Çeku, Xhemajl Fetahu e shumë bashkëluftëtarë tjerë”, tha Haradinaj në 19 vjetorin e Betejës së Koshares.

Më tej Haradinaj theksoi se të bëhesh pjesë në “Ditët e Shqipes” është jo vetëm nder, por edhe betim se do t’i dalim Zot atdheut.

“I nderojmë sot edhe ata të huaj që ishin rreshtuar me ne, që sfiduan idealet e lirisë e në mbrojtje të humanitetit dhe vlerave tona të përbashkëta. Shumë breza janë shkri për Kosovën, por brezi ynë jemi me fat, sepse në krahë kishim NATO-n dhe së bashku ngadhënjyem mbi të keqen.

Dhe sot, së bashku me aleatët tanë strategjik, prirë nga Amerika, jemi në rrugë të mirë për ta krijuar ushtrinë tonë, si pjesë integrale e NATO-s për t’i dhënë krah paqes kudo në botë, të gatshëm që të marrim pjesë në paqe ruajtje kudo dhe kurdo që ka nevojë”, u shpreh Haradinaj.

Kryeministri theksoi se në luftë nuk shkuam për të poshtëruar popullsinë joshqiptare, por e bëmë luftën që në këtë shtëpi të përbashkët kurrë më të mos ketë shtypje dhe padrejtësi.

“Asnjë komb në botë nuk negocion lirinë dhe sovranitetin e vet! Dhe miqtë tanë në BE duhet ta mbështesin Kosovën e pavarur, e cila nuk është problemi por zgjidhja, sepse që nga çlirimi i saj paqja në rajonin tonë është e qëndrueshme.

Ka filluar mijëvjeçari i ri, i shqiptarëve. Ky është shekulli i parë i shtetit tonë sovran, pra Kosovës së  lirë me synim bashkimin ndër shqiptarë me familjen euroatlantike dhe, në këtë rrugë po ashtu do të kemi shumë sfida por jemi të vetëdijshëm se me shembullin e heronjve me unitetin e tyre do t’ia arrijmë qëllimit”, u shpreh Haradinaj. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version