Site icon Telegrafi

Haradinaj: Beteja e Koshares një moment vendimtar në luftën e UÇK-së

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e cilësoi betejën e Koshares si një nga momentet më vendimtare në luftën për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pasi bëri homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Koshare, Haradinaj tha se 9 prilli 1999 ka qenë një ditë gëzimi për të gjithë luftëtarët e UÇK-së në vijë të frontit.

“Lufta jonë për liri ka pas momente vendimtare, e një moment vendimtar vërtetë është beteja e Koshares, thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar, edhe një luftë frontale për forcat serbe, jo vetëm qe e ka pas për ne, për të gjitha njësitë e UÇK-së rëndësinë e një fronti të ri, por po ashtu e ka pas një rëndësi të madhe sepse na ka larguar presionin e forcave serbe mbi ne, për shkak që janë detyruar të drejtohen nga ky front.

Të gjithë bashkëluftëtarët e tjerë, e kemi pas ditë gëzimi të jashtëzakonshëm, jo vetëm për faktin që fillonte një luftë e tillë frontale por edhe për faktin që na u largua presioni, e kishim me lehtë vazhdimin e luftës… Lufta në Koshare ka qenë e përgjakshme, e vështirë, e dhimbshme por edhe krenare, kanë rënë heronj”, tha Haradinaj, raporton kp.

Beteja e Koshares e zhvilluar më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër betejat më të përgjakshme dhe më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

 

 

 

Exit mobile version