Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj beson që Gjykata Kushtetuese do t’u japë mundësi partive tjera për krijimin e qeverisë.
Haradinaj gjatë një vizite që ia bëri Spitalit rajonal të Pejës, ka thënë se çfarëdo vendimi që do të jep Gjykata Kushtetuese do ta respektojnë.
Ai po ashtu theksoi se Kosova nuk ka kohë të humbas dhe nëse Gjykata Kushtetuese ia jep të drejtën partisë së dytë që të formoj Qeverinë, atëherë duhet menjëherë të veprohet.
“Nuk kemi zgjidhje tjetër vetëm ta respektojmë vendimin e Gjykatës. Edhe në të kaluarën ka pas vendime që nuk na kanë përlyer por i kemi respektuar. Nëse gjykata vlerëson që partisë së dytë i takon krijimi i qeverisë, atëherë s’duhet të humbim kohë në krijimin e qeverisë. Unë besoj që Gjykata Kushtetuese do t’i japë mundësi edhe partive tjera krijimin e qeverisë, edhe për faktin se do të ishim në situatë ‘të zënë në peng’ nëse Gjykata vendos që vetëm i pari do të formonte qeverinë, atëherë pas zgjedhjeve do të rrezikonim të shkonim prapë në zgjedhje. Është një praktikë që shumë vende perëndimore demokratike e kanë shmang dhe nuk e kanë lënë vetën të zënë peng, që vetëm i pari të formonte qeverinë, por e kanë lënë të hapur këtë pjesë”, ka thënë Haradinaj. /Telegrafi/