Site icon Telegrafi

Haradinaj: Bashkimi ynë opozitar po shihet si e vetmja shpresë për t’i dhënë fund qeverisë anti-shtet

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një vizite në Stanoc të Vushtrrisë të shtunën, ka thënë se “bashkimi ynë opozitar, dita-ditës po shihet nga qytetarët si e vetmja shpresë për t’i dhënë fund qeverisë anti-shtet”.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj është shprehur se situata e krijuar në vend kërkon mobilizim e bashkim të gjithëmbarshëm.

“Situata e krijuar në vend, kërkon mobilizim e bashkim të gjithëmbarshëm për ta kthyer Kosovën drejt rrugës së zhvillimit dhe integrimit, në bashkëpunim me miqtë tanë që na ishin pranë në momentet më të vështira”, ka shkruar ai.

“Sonte kisha nderin të bashkëbisedoj me shumë miq, kolegë e bashkëluftëtarë në Stanoc të Vushtrrisë, në mikpritjen e aktivistit të hershëm të Aleancës, Rrahim Ajeti”.

Haradinaj tutje ka thënë se bashkë me kryetarin e degës së AAK-së në Vushtrri, Mensut Ademi, kryetarin e Listës Konservatore Avdullah Klinaku, Shemsi Rrahimi, kanë diskutuar për problemet dhe nevojat e qytetarëve të kësaj ane, si dhe për zhvillimet politike në vend e nevojën e bashkimit e mobilizimit sa më masiv për të ndaluar “qeverisjen anti-shtet”. /Telegrafi/

Exit mobile version