Telegrafi

Haradinaj: Bashkësia Ndërkombëtare po i mbyll sytë karshi tërë masakrave që kanë ndodhur

Në Akademinë Përkujtimore në 20 vjetorin e masakrës së Lybeniqit, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se këto janë ditët ku përkujtohen të rënët për liri.

Haradinaj ka thënë se është e çuditshme se si Bashkësia Ndërkombëtare po i mbyll sytë karshi këtyre masakrave.

“Jemi në periudhën ku çdo ditë përkujtojmë martirë, qytetarë të rënë për liri. Është për çudi që Bashkësia Ndërkombëtare i ka mbyllur sytë përballë këtyre masakrave që kanë ndodhur në Kosovë. Çdo ditë marr letra nga familjarët që kërkojnë drejtësi. Mënyra më e mirë për ta vendosur të drejtën tonë është të mos harrojmë nga kemi ardhur. Plagët që kemi kaluar. Dhe për këtë duhet të punojmë që ta forcojmë atdheun”, ka thënë ai.

Haradinaj theksoi se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për të gjithë të rënët dhe të pagjeturit.

“Jemi borxh ndaj të gjithë familjeve të martirëve, të pagjeturve, dhe për të drejtën tonë si komb. Nuk do të ndalemi të kërkojmë drejtësi. Kemi rënë dakord që si institucione ta avancojmë statusin ligjor të familjeve të të pagjeturve. Është njëri ndër veprimet e para që do të ndodhë, që edhe kjo kategori ta ketë jetën e përgjegjshme. Nuk do të ndalemi deri sa ta rregullojmë në mënyrë të përgjegjshme statusin e familjeve të pagjeturve dhe familjeve të martirëve të rënë”, ka thënë Haradinaj./Telegrafi/