Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka shprehur ngushëllime familjes për vdekjen e babait të ish presidentit të vendit, Hashim Thaçit, Haxhi Thaçi.
Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se baca Haxhi e mbylli jetën duke lënë pas një histori të tërë sfidash e sakrificash.
Ai ka thënë se në këtë ditë zie, familja Thaçi po përballet jo vetëm me humbjen e njeriut të tyre të dashur, por edhe me mungesën e Hashimit, i cili, me bashkëluftëtarët e tjerë, po mbron luftën e shenjtë të UÇK-së në Hagë.
“Lajm i hidhur ndarja nga jeta e Haxhi Thaçit, babait të luftëtarit të orëve të para, bashkëluftëtarit tim dhe ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Baca Haxhi e mbylli jetën duke lënë pas një histori të tërë sfidash e sakrificash, por ndarja e tij vjen në një moment edhe më të rëndë për familjen Thaçi. Në këtë ditë zie, familja Thaçi po përballet jo vetëm me humbjen e njeriut të tyre të dashur, por edhe me mungesën e Hashimit, i cili, me bashkëluftëtarët e tjerë, po mbron luftën e shenjtë të UÇK-së në Hagë. Në këtë moment dhimbjeje, jam pranë mikut dhe bashkëluftëtarit tim Hashimit dhe mbarë familjes Thaçi. Zoti ju forcoftë”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/