Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj tha sot se arsimimi i duhur i gjeneratave të reja në vend është objektiv i Qeverisë së Kosovës dhe projektet që kanë të bëjnë me këtë fushë do ta kenë mbështetjen e tij.
Haradinaj këto komente i bëri në takimin me Angus Bjarnson, drejtor në detyrë në British Council në Kosovë dhe Shqipëri.
Në këtë takim u bisedua për projektin “Shkollat e Shekullit 21”, projekt ky që është lansuar në Kosovë vitin e kaluar dhe i cili ka për qëllim që t’i trajnoj mësimdhënësit e vendit në temat si mendimi kritik dhe zgjidhja e problemeve, të mësuarit digjital dhe përdorimi i pajisjes mikrobit.
Kryeministri Haradinaj pasi e njoftoi Bjarnson për zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë në fushën e arsimit tha se Qeveria e vendit po përballet me sfida në këtë drejtim dhe se çdo projekt që ka për qëllim të avancojë këtë fushë tejet të rëndësishme do ta ketë mbështetjen e tij dhe të Qeverisë që ai drejton.
“Ne jemi munduar që të përkrahim çdo nismë që ka për qëllim të avancoj gjendjen e arsimit në vend. Në këtë fushë projekti i British Council është tejet i nevojshëm dhe ju falënderojmë për këtë”, tha Kryeministri Haradinaj.
Pajisja mikrobit, pjesë e projektit “Shkollat e Shekullit 21”, është pajisje për kodim e zhvilluar nga Microsoft dhe BBC e cila është përdorur në shkollat e Britanisë së Madhe para dy viteve.
Në Kosovë ky projekt është lansuar vitin e kaluar në dhjetë shkolla, momentalisht është duke u implementuar në 10 shkolla të tjera në fazën e dytë derisa faza e ardhshme do t’i përfshijë të gjitha shkollat në Kosovë.
Pjesë e këtij takimi ishte edhe ministri i Arsimit i Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell dhe Koordinatorja e Projekteve në British Council, Nita Qena. /Telegrafi/