Site icon Telegrafi

Haradinaj: Arrestimet e para nga Specialja do ta riaktualizojnë UÇK-në

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale javën e kaluar nuk ka qenë punë korridoresh dhe se ajo nuk mund të thuhet se ka qenë konspirative.

Haradinaj ka thënë se partitë politikë në vend është dashur të mendojnë në vitin 2015 dhe të mos e votojnë Specialen dhe se tash nuk ka arsye që dikush të jetë i frikësuar.

Haradinaj më tej ka thënë se nuk do të ndjehej mirë nëse ndonjëri prej bashkëluftëtarëve të tij arrestohet nga kjo gjykatë.

“Instrumenti i UÇK-së do të riaktualizohet në Kosovë në momentin që nisin arrestimet nga Gjykata Speciale”, ka thënë Haradinaj në “Info Mgazine” të Klan Kosova.

“Nuk jam krah lufte, jam qytetar i këtij vendi. Virtyti më i madh i imi është lufta.  Jam i hapur dhe gjithmonë gati t’i përkrah bashkëluftëtarët. UÇK nuk ka bërë krime, krime ka bërë Serbia dhe jo Millosheviqi”, ka shtuar ai.

Haradinaj ka thënë se Specialja nuk është hall i tij personal.

“Gjykata Speciale duhet parë si element që do ta dëmtojë imazhin e Kosovës. Nuk e kam problem, pesë parë s’i jap. Krejt jetën e kam përpara. Kam humbur mbi 300 bashkëluftëtarë dhe nuk e kam hall personal”, ka thënë ai.

Kurse për një qëndrim të Lëvizjes Vetëvendosje kundër kësaj gjykate, Haradinaj ka thënë se beson që ata ende janë kundër. /Klan Kosova/

Exit mobile version