Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në akademinë përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të rënies së heroit të Kosovës, Adrian Krasniqi ka thënë se Adriani ishte brezi i parë i luftëtarëve dhe themelues i UÇK-së, i cili rrjedh nga një familje luftëtare ndër shekuj.
Haradinaj në këtë akademi përkujtimore dhe Adriani ishte ndër heronjtë që vuri themelet e lirisë.
“Ai shihte shumë larg dhe deri në liri, ishte nga ata luftëtarë që përveç rrugës deri në liri kishte vizione dhe për më tutje”, theksoi Haradinaj.
Ndërsa, profesori Nysret Pllana tha se lirinë e Kosovës nuk e fali askush, por atë e fituan me gjak e shumë sakrificë.
Ai tha se sot e ndjejnë më shumë se kurrë mungesën e Adrianit dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Rexhep Selimi në akademinë përkujtimore në nderim të heroit Adrian Krasniqi tha se Adriani ishte ndër themeluesit e UÇK-së.
“Ende i ruajmë gjërat e Adrianit si kujtim, ende ia ndjejmë edhe ngjyrën e zërit të tij. Ne nuk mund ta shkruajmë historinë e tij por këtë do të duhej ta bënte Kosova për të cilën ai ra. Por këtë nuk deshën ta bëjnë ata që e udhëhoqën Kosovën në këto vite. Ai luftoi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që nga themelimi i saj”, tha Selimi.
Ai po ashtu tha se Adriani shtegtonte dhe kryente aksione kudo në Kosovë. “Ishte një ndër themeluesit e UÇK-së. Adriani ishte ai i cili kishte marrë barrën për organizimin dhe furnizimin e UÇK-së”, tha ndër të tjera Selimi. /Telegrafi/