Gjykata Kushtetuese sot e ka shpallur anti-kushtetues Ekipin Negociator për dialogun me Serbinë, të kryesuar nga Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj.
I menjëhershëm ishte reagimi i Shpend Ahmetit i cili dha dorëheqje nga posti i udhëheqësit të këtij ekipi.
Në anën tjetër, kryeministri Haradinaj nuk pati asnjë koment në lidhje me vendimin e Gjykatës, por ai e ka anuluar takimin e planifikuar për nesër me Shpend Ahmetin në komunën e Prishtinës.
Haradinaj nesër do të merr pjesë në ceremoninë e Ndërrimit të Drejtorit të NALT-it, Gjeneral Brigade, Uwe Becker.
Por, ai ka shtyrë vizitën në Komunën e Prishtinës për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit në mes Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës e paraparë për nesër në ora 11:00.
” Shtyhet vizita e Kyeministrit Ramush Haradinaj në Komunën e Prishtinës- nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, e paraparë të mbahet në ora 11:00.Për kohën dhe datën e mbajtjes do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftimin për media.
Vlen të theksohet se Partia Socialdemokrate e Shpend Ahmetit ishte e vetmja nga opozita që pranoi përfshirjen në dialog dhe nuk dihet nëse vendimi i Kushtetueses ka shkaktuar anulimin e këtij takimi.