Telegrafi

Haradinaj akuzon Qeverinë për gjendjen e rëndë me pandeminë COVID-19

Foto: Ilustrim

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar rreth gjendjes me pandeminë COVID-19, duke akuzuar Qeverinë e Kosovës për keqmenaxhim.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, kritikoi Vetëvendosjen, se si në këtë gjendje të rëndë shëndetësore në vend, kanë vendosur për të kandiduar ministrin e Shëndetësisë, për kryetar të Prishtinës.

Madje ai tha se Qeveria e mashtrimit në vend të interesave të ngushta politike, duhet të fokusohet tek interesat e shtetit dhe të përkushtohet në menaxhimin e gjendjes shëndetësore.

Postimi i plotë i Haradinajt:

“Në kohën kur situata pandemike është jashtë kontrollit dhe Kosova po shënon numër të lartë të rasteve me infeksion, mashtruesit kanë vendosur që ministrin e Shëndetësisë, ta kandidojnë për kryetar të Prishtinës.

Largimi i ministrit Vitia nga përgjegjësitë shtetërore dhe kalimi i vëmendjes së tij tek gara zgjedhore, edhe njëherë e shpërfaq fytyrën e vërtetë të Qeverisë së mashtrimit.

Kjo qeveri, para interesave të ngushta politike, duhet të ketë interesat e shtetit dhe të përkushtohet në menaxhimin e gjendjes së rëndë shëndetësore në vend, që çdo ditë po merr jetë të qytetarëve.

Koston e kësaj gjendjeje, do ta paguajnë jo vetëm pacientët e stafi mjekësor, por edhe ekonomia e vendit, me masat që këta mashtrues do t’i vendosin, ashtu siç mbyllën vendin dhe shkatërruan ekonominë vitin e kaluar.

Pavarësisht nga mosinteresimi i Qeverisë, lus stafin shëndetësor në nivel vendi, që të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në kujdesin për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.