Site icon Telegrafi

Haradinaj: AAK synon rritjen e mbështetjes

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sot ka mbajtur mbledhjen konstituive të Kryesisë së re, e dalë nga zgjedhjet e brendshme në parti, të përfunduara më 25 korrik 2018.

Ndër anëtarët e sapozgjedhur në kryesinë e AAK-së, rreth 40 për qind janë të zgjedhur për të parën herë, kurse  rreth 40 për qind janë gra.

Kryetari i AAK-së dhe Kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, duke uruar Kryesinë e re, tha se synim i AAK-së, është rritja e mbështetjes për AAK-në, mbështetja e qeverisë në nivelin qendror dhe atë lokal, si dhe shtrirja e strukturave të partisë në të gjitha nivelet dhe zonat.

Sipas njoftimit, në këtë mbledhje poashtu u vlerësua kontributi i Kryesisë së vjetër, e cila arriti që AAK-në ta shndërrojë në parti të Kryeministrit dhe parti që sot qeverisë me 7 komuna dhe bashkëqeverisë në 10 komuna të tjera, duke u bërë kështu ndër partitë më serioze në vend.

Strukturat e reja të AAK-së, u zotuan të punojnë në përmbushjen e agjendave shtetërore dhe në rritjen e vazhdueshme të AAK-së si një vlerë e pakontestueshme e spektrit politik të Kosovës. Kryesia e re e AAK-së ka mandat katërvjeçar. /Telegrafi/

Exit mobile version