Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se partia e tij ka rritje dhe sipas tij, ligji për kazinotë është një nga shkaqet që po i rritet besimi AAK-së.
Në Pressing të TV7, Haradinaj ka folur edhe për spekulimet se ai ka pasur afërsi me pronarë të kazinove.
Në këtë kontekst, Haradinaj ka thënë se një nga arsyet pse AAK-në e kanë vendosur sondazhet e kryera nga kompanitë e huaja me mbi 17 për qind të besimit të qytetarëve është ligji për mbylljen e kazinove.
Kryeministri tregon se partinë e tij e kanë lidhur me fajde e haraç dhe afërsinë me kazinotë, ndërsa ndalimi i tyre, sipas tij, tregoi se nuk është ashtu.
“Një prej çështjeve që na ka rritë është ligji për kazinotë. Për AAK-në ka thënë se keni fajde e haraç. E kanë pa se kjo nuk qëndron. Menduan se do ta kundërshtoja mbylljen e kazinove. I mbyllëm kazinotë”, është shprehur Haradinaj.
“Ishte iniciativë e Parlamentit, unë e kreva me përgjegjësi”, ka shtuar ai, shkruan Express.
Kryeministri thotë se i njeh pronarët e kazinove dhe ka miq në këto biznese, por mohon se ndonjëherë ka pasur aksione në ndonjë kazino.
“I njoh biznesmenët e kazinove, por nuk kam pasur as hise, as aksione”, është shprehur ai.