Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë se në Zgjedhjet Parlamentare të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, partia e tij do të përfaqësohet me një listë që përbëhet prej grupmoshave të ndryshme, duke respektuar kuotën gjinore, të rinj e të reja të cilët kanë arritur të mirë përgatiten profesionalisht në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “dy e treta e listës përbëhet nga kandidatë që për herë të parë sfidohen në garën zgjedhore”.
Postimi i plotë i Haradinajt:
“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Në Zgjedhjet Parlamentare të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të përfaqësohet me një listë që përbëhet prej grupmoshave të ndryshme, duke respektuar kuotën gjinore, të rinj e të reja të cilët kanë arritur të mirëpërgatiten profesionalisht në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar.
Ndër ta janë Doktorë Shkence, Specialistë të Mjekësisë, Profesorë Universitar, Juristë e Ekonomistë, Politologë e Sociologë, Arkitektë e Inxhinierë, e po ashtu përfaqësues nga Lugina e Preshevës dhe Diaspora.
Dy e treta e listës përbëhet nga kandidatë që për herë të parë sfidohen në garën zgjedhore.
Kjo ofertë e Aleancës garanton mbrojtje dhe siguri, rimëkëmbje dhe zhvillim ekonomik, sundim ligji dhe mirëqenie, arsim dhe shëndetësi, fuqizim dhe avancim të interesave të qytetarëve dhe shtetit.
Kosovë, na priftë e mbara!”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/