Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojë me 21 kandidatë për kryetarë komune në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.
Kjo u bë e ditur përmes një konference për media në të cilën ishte i pranishëm edhe kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, që tha se deri në fund të ditës kur përfundon afati për aplikim mund të kenë edhe ndonjë kandidature tjetër.
Haradinaj tha se Aleanca ka njerëzit e duhur për secilën komunë për të garantuar shëndetësi e arsim më cilësor dhe për të forcuar ekonominë. Sipas tij, në komunat ku ka udhëhequr AAK nuk ka pasur asnjëherë ndonjë skandal.
“Vlera kryesore, e para, është njeriu, këtu kemi kandidatët për kryetarë, njerëzit e duhur në kohën e duhur e në vendin e duhur për të qeverisur me komunat e tyre. Janë 21 kandidatë deri në këtë moment të përzgjedhur të Aleancës duke filluar nga 6 që sot udhëheqin me komunat e Kosovës, është Ardian Gjini (Gjakovë), Bali Muharremaj (Suharekë), Smajl Latifi (Rahovec), Zenun Elezaj (Klinë), Bashkim Ramosaj (Deçan) dhe Agron Kuçi (Junikut) e të gjithë të besuar në punë të suksesshme dhe përgjegjësi të lartë në udhëheqje, pa asnjë problem, asnjë aferë me ligjin dhe të vlerësuar lart, të respektuar prej të gjithëve në komunat e tyre”, deklaroi Haradinaj.
Në kandidaturat e tjera janë Daut Haradinaj për Prishtinës, Rrustem Berisha për Pejën, Besnik Tahiri për Podujevë, Bekë Berisha për Istogun, Arta Ahmeti – Xhylani për Drenasin, Nazim Gagica për Gjilan, Lulzim Kabashi për Prizren, Faton Jakupi për Kamenicë, Mesut Ademi për Vushtrri, Arben Halili për Ferizaj, Kastriot Berisha për Malishevë, Ali Krasniqi për Obiliq, Agron Gashi për Dragash, Bashkim Budakova për Lipjan dhe Hasan Ismajli për Fushë Kosovë.
Para mediave, Haradinaj foli edhe për programin zgjedhor të Aleancës duke thënë se është më i miri që i ofrohet qytetarëve.
Duke folur për numrin e pakët të kandidateve femra për kryetare, Haradinaj pranoi se një kandidate nga partia e tij është pak por tha se në listat për Kuvende Komunale ka më shumë femra.
Në lidhje me koalicionet e mundshme, kreu i AAK-së u shpreh se do të priten rezultatet e raundeve të para si dhe të balotazheve para se të vendosin për këtë çështje.
“Kemi shkuar me ofertë serioze në komuna ku jemi edhe favoritë realisht, pra me këto kandidatura synojmë një sukses, përpos aty ku shënojmë fitoren, synojmë vendin e dytë gjithsesi, ndërsa për mundësinë e koalicioneve do ta shqyrtojmë në të ardhmen. Nuk kemi paraprakisht koalicione me asnjë subjekt politik, por do ta shqyrtojmë në rast të raundit të parë, raundit të dytë, varësisht prej rrethanave”, u shpreh Haradinaj.
Ai ka folur edhe për kandidimin e Arben Vitisë nga LVV për kryetar të Prishtinës.
Kandidimi i Vitisë, për kreun e AAK është një porosi e keqe që po dërgohet nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë kohë kur janë rritur numrat e të prekurve me COVID në ditë.
“Porosia është e keqe që po e dërgon Vetëvendosje në këtë rast edhe nëse e kanë të vetmin kandidat të mirë, është e keqe, sepse po e heqin ministrin e Shëndetësisë, është porosi e gabuar me heq ministrin e Shëndetësisë. Nëse e kishin heq se nuk është i suksesshëm në menaxhim të pandemisë, ka kuptim, por ta heqin kur kemi përkeqësim të gjendjes për interes të një gare është pak e dhimbshme që po e shohim. Nuk e di a duhet ta shkarkojë por është e dhimbshme se ai nuk e ka mendjen më te pandemia, por e ka te gara dhe nuk është në rregull”, tha ai.
Ndryshe, subjektet politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e lokale të 17 tetorit kanë afat deri sot, e hënë në ora 16:00 që të aplikojnë në KQZ. /KP/