Telegrafi

Haradinaj: 1 Maji e gjen Kosovën në pozitën më të rëndë në 24 vitet e fundit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Dita Ndërkombëtare e Punës kësaj here vendin e gjen në pozitën më të rëndë në 24 vitet e fundit.

Sipas Haradinajt, kryeministri Albin Kurti dhe kabineti i tij janë më të fokusuar në grumbullimin e parave në Thesarin e Shtetit sesa në investime kapitale.

“Dita Ndërkombëtare e Punës kësaj here Kosovën e gjen në pozitën më të rëndë në 24 vitet e fundit. Secilën ditë që kalon, vendi ynë është edhe më keq, punëtorët tanë më të diskriminuar, e qeveria edhe më e fjetur. Kryeministri dhe kabineti i tij qeveritar janë të fokusuar më shumë në grumbullimin e parave në thesarin e shtetit se sa në investime kapitale – aty ku hapen vende të reja pune, rriten rrogat dhe zhvillohet shteti”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai është shprehur se fuqia punëtore po ikë çdo ditë, duke shtuar se, “vendi ynë po mbetet pa mjekë, pa inxhinierë, ekonomistë e pa mësimdhënës”.

“Kosova rrezikon me mbet edhe pa pjesëtarë të sigurisë sepse rinia po ikë”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/