Kanë kaluar pothuajse dy vite nga fillimi i punimeve për rivitalizimin e urës së Ibrit në Mitrovicë, në bazë të marrëveshjes që përkon me lirinë e lëvizjes të arritur më 25 gusht 2015, mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.
Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijanciq, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nuk ka informata se kur do të bëhet përurimi urës, pasi ende po punohet në të.
“Siç jemi të njoftuar, punimet në urë janë duke vazhduar e unë nuk kam informata tjera”, ka thënë ajo.
Edhe Faruk Mujka, nënkryetar i Komunës së Mitrovicës shprehet se nuk e di saktë se kur do të bëhet hapja e urës.
“Është paraparë njëherë që më datë 20 janar të kryhet revitalizimi, mirëpo kjo gjë nuk ndodhi pasi na doli problemi me murin në pjesën veriore të urës. Punimet aty janë ndaluar që dy muaj dhe derisa të përfundojnë nuk mund të them asnjë datë të saktë për hapjen e saj”, ka thënë Mujka.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ditë më parë ka bërë të ditur se hapja e urës mbi lumin Ibër do të bëhet menjëherë pas rrënimit të murit ilegal në veri.
Por, burime të Telegrafit bëjnë të ditur se në muajin mars pritet të bëhet hapja e kësaj ure, nga përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Këtë në një mënyrë e konfirmon edhe Mujka.
“Besoj se në fund të marsit do të përfundojnë punime dhe atëherë ura do të hapet për qarkullim”, ka thënë ai. /Telegrafi/