Sot në qytetin e Gostivarit u hap zyra noteriale “Zarije Xhaferi” , që ishte një nga katër zyrat e reja noteriale të përzgjedhura nga konkursi i fundit i Ministrisë së Drejtësisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Të pranishëm në evenimentin e hapjes së zyrës së re , ishte edhe ministri i Drejtësisë Valdet Xhaferi, si dhe kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.
Minstri Xhaferi theksoi se në konkursin e Ministrisë së Drejtësisë për noterë të ri në kompetencë të Gjykatës së Gostivarit, dy nga katër noterët e përzgjedhur janë të gjinisë femërore , gjë që flet për avancimin e femrës shqiptare në Republikën e Maqedonisë.
Me këtë rast ministri Xhaferi shprehu urimet në emër të Ministrisë së Drejtësisë dhe Komunës së Gostivarit për noteren e re, Zarije Xhaferi.
”Është një moment i veçantë,për shkak se Zarija së bashku me një kolege të veten, do të jenë dy noteret e para shqiptare që do të ushtrojnë këtë profesion për territorin e Gjykatës së Gostivarit.Është nder për mua që pata rastin si ministër,të nënshkruaj vendimet e dy notereve shqiptare në qytetin e Gostivarit.Me hapjen e zyrave të reja noteriale në Gostivar dhe qytete të tjera,është rritur ndjeshëm përfaqësimi i shqiptarëve në sferën e Noterisë në mbarë vendin”, shtoi Ministri Xhaferi.
Deri më tani, në qytetin e Gostivarit janë hapur tre zyra të reja noteriale.Brenda javës do të hapet edhe zyra e katër dhe e fundit,e përzgjedhur nga konkursi i Ministrisë së Drejtësisë për rajonin e Gostivarit. /Telegrafi/