Ndërkohë që gjysmëfinalja e dytë e “Eurovision 2024” po zhvillohet, shqiptarët në mbarë botën kanë mundësinë të mbështesin përfaqësuesen e tyre.
Besa Kokëdhima, e cila po përfaqëson Shqipërinë me këngën energjike dhe frymëzuese “Titan”, pret të votohet nga shqiptarët anë e kënd Evropës dhe jo vetëm.
Votimi për këtë fazë është zyrtarisht i hapur dhe votuesit kanë një kohë të kufizuar prej vetëm 15 minutash për të dhënë kontributin e tyre.
Besa mban kodin 02, një detaj kyç për të gjithë ata që dëshirojnë të dërgojnë votën e tyre për të nëpërmjet SMS nga shtetet përkatëse jashtë Shqipërisë, pasi rregullat e “Eurovision” ndalojnë votimin për vendin e origjinës.
Shtetet nga të cilat mund të votohet sonte janë: Malta, Greqia, Zvicra, Çekia, Franca, Austria, Danimarka, Armeniam Letonia, Spanja, San Marino, Gjeorgjia, Belgjika, Estonia, Italia, Izraeli, Norvegjia dhe Holanda.
Për shqiptarët që gjenden në Kosovë dhe në çdo cep tjetër të globit, votimi është gjithashtu i mundur përmes internetit. Ata mund të shkarkojnë dhe të përdorin aplikacionin Eurovision APP për të bërë zgjedhjen e tyre dhe të dërgojnë një sinjal mbështetjeje për Besën. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të treguar unitetin kulturor dhe kombëtar në këtë spektakël muzikor ndërkombëtar.
Kualifikimi në finalen e “Eurovision” do të ishte një arritje e madhe për Besa Kokëdhimën dhe një moment krenarie për Shqipërinë. Vetëm 10 nga 16 shtetet pjesëmarrëse sonte, do të shkojnë në finale. /Telegrafi/