Drejtoria Rajonale e OSSH Tiranë ka shpallur hapjen e tenderit për zhvillimin e rrjetit 20kv për përmirësimin e cilësisë së furnizimit të zonave përgjatë rrugës së Arbërit dhe furnizimit të Tunelit të Murrizit.
Fondi limit i përllogaritur i këtij projeki është 295 milionë e 357 mijë lekë.
Sipas dokumentit, duke marrë parasysh problematikat e shpeshta nga stakimet e ardhura si pasojë e kushteve atmosferike, si dhe duke parë perspektivën e zhvillimit të këtyre zonave, ku kalon rruga e Arbrit, një rrugë nacionale me gjatësi mbi 75 km, e cila po ndërtohet dhe pjesë e saj është edhe ndërtimi i Tunelit të Murrizit, lind nevoja për ndërhyrjen në rrjetin e shpërndarjes me një zgjidhje optimale për zhvillimin e rrjetit elektrik 20 kV, me qëllim përmirësimin e cilësisë së furnizimit të zonave përgjatë rrugës së Arbrit dhe furnizimin e tunelit të Murrizit.
Zona ku kalon gjurma e rrugës së Arbrit, ndodhet në Lindje të qytetit të Tiranës dhe përfshin fshatrat Tujan, Zall Dajt, Besh, Kurte, Zallbastar, Hysaj dhe Maricej, fshatra të cilët aktualisht furnizohen nga një rrjet i tensionit të mesëm 10 kV, tepër i amortizuar dhe i vjetër, ndërsa zona e Murrizit shtrihet në pjesën lindore të Tiranës dhe është zonë periferike e saj e cila karakterizohet nga një terren i vështirë.
Ndërtimi i Tunelit të Murrizit do t’i sjellë nje hov të ri zhvillimit të infrastrukturës së rrugës së Arbrit që krijon akses për zonat lindore të Shqipërisë. Për Tunelin e Murrizit është parashikuar të zhvillohet një infrastrukture elektrike, që të garantojë një shërbim cilësor.
Zhvillimi urbanistik dhe kulturor i kësaj zone ka marrë një vëmendje të vecantë duke bërë që në këtë zonë të ketë ndërtime të reja, komplekse vilash. Ekzistenca e biznesit të restoranteve me gatime tradicionale është një tjetër aset për zhvillimin ekonomik, pasi garanton një treg që edhe pse të vogël, të sigurt për shitjen e prodhimeve të zonës.