Në prezencën e mijërave mysafirëve të mërkurën është hapur qendra tregtare “Royal Mall” në Prishtinë.
Qendra gjigante ndodhet në “Rrugën B”, dhe shtrihet në 15 mijë metra katrorë dhe me një gamë të gjerë të dyqaneve.
Në dyqanet e kësaj qendre do të ofrohen brende të njohura botërore, të cilat vinë për herë të parë në Kosovë.
Drejtoresha e “Royal Mall”, Teuta Kryeziu ka theksuar qendra e re është e vetmja e këtij lloji në Kosovë dhe rajon.
Kryeziu ka thënë se hapja e “Royal Mall” është lajm i mirë për kryeqytetin tonë, dhe se sipas saj, është model ideal për shopingun modern që duhet ta ketë Prishtina.
“Arkitektura dhe stili ia jep qytetit tonë një pamje të re, ku mund të krenohemi të gjithë ne dhe gjeneratat e ardhshme me këtë punë. Me hapjen e kësaj qendre kosovarët nuk kanë nevojë të shkojnë jashtë vendit për të bërë blerje, sepse atyre po ju krijohet ajo mundësi në Kosovë”, ka shtuar ajo.
Prezent në këtë ngjarje ka qenë edhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se është shumë i lumtur sa herë që sipas tij, ka investime të këtij lloji në kryeqytet.
Ai ka theksuar se investimi rreth 20 milionë euro është arsye tjetër që e bën atë të ndihet mirë.
“Unë jam i lumtur sepse këtë biznes do ta udhëheq një grua, ku besoj se do ta drejtoj më mirë se sa një burrë. Qytetarët tonë nuk do të kenë nevojë të shkojnë në qytete dhe shtete tjera”, ka shtuar Ahmeti. /Telegrafi/