Ministrja e Arsimit e Kosovës, Arbërie Nagavci, njoftoi të enjten vonë se do të ndahen nga 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë për blerjen e teksteve shkollore, ndërsa për t’i marrë ato prindërit duhet të aplikojnë online nga 25 gushti.
Ndërkohë, për nxënësit nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë, të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore nga viti i kaluar, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore, njoftoi ajo.
Sot (Premte) në platformën e-Kosova është publikuar linku në të cilin prindërit mund të aplikojnë për subvencionim të teksteve shkollore për fëmijët nga klasa 1-5.
Ky është linku që është publikuar në platformën e-Kosova për aplikim për subvencionim të teksteve shkollore: https://ekosova.rks-gov.net/Service/5
Edhe Shtëpia Botuese “Dukagjini”, ka njoftuar se ka filluar punën me furnizimet me tekste shkollore.
Në njoftimin e tyre thuhet se janë të përgatitur me sasinë e nevojshme të teksteve shkollore për secilën lëndë e klasë.
“Njoftojmë të gjithë librarët nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës se Shtëpia Botuese ‘Dukagjini’ ka filluar punën me furnizimet me tekste shkollore”.
“Shtëpia Botuese ‘Dukagjini’ është e përgatitur me gjithë sasinë e nevojshme të teksteve shkollore për secilën lëndë e klasë, në mënyrë që të gjithë nxënësit të pajisen në kohë”, thuhet në njoftim.
Ministria e Arsimit i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore nga viti 2008.
Por, Nagavci njoftoi në fillim të kësaj jave se ka ndryshuar mënyra e shpërndarjes së teksteve shkollore, për shkak të dështimit të marrëveshjes me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra, për faktin se, sipas saj, shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre.
Për rrjedhojë, Ministria do t’u deponojë prindërve të nxënësve mjete në llogari, në mënyrë që ata t’i blejnë vetë librat./Telegrafi/