Është hapur të mërkurën Panairi Regjional i Prodhimeve Vendore, me ç’rast rreth 50 fermerë dhe zanatlinj të rajonit të Mitrovicës, kanë ekspozuar prodhimet e tyre në qendër të Mitrovicës.
Faik Hajdari, njëri nga organizatorët e këtij panairi, tha se ky vit ka qenë shumë i vështirë për fermerë për shkak të kushteve atmosferike.
Megjithatë, shtoi ai, fermerët e rajonit janë gjendur disi dhe me punën e tyre kanë treguar se janë të aftë të përballojnë edhe vështirësitë.
Sipas tij, prodhimet bujqësore sa i përket pemëtarisë, bletarisë etj, kanë rënë po thuajse për 50 për qind.
Ai ka potencuar se institucionet komunale të rajonit kanë ndihmuar fermerët duke i stimuluar ata në bletari, pemëtari, perimtari, por edhe në fermat e qumështi.
Ndërkaq, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, theksoi se në krizën ekonomike që aktualisht mbretëron në regjion, por edhe më gjerë, bujqësia duhet të mbështetet domosdoshmërish.
“I kemi përkrahur fermerët duke ju ndarë mjelëse të qumështit, arka për bletë, këshillime nga ekspertët, pastaj planifikojmë të subvencionojmë edhe farën për grurë. Jemi shumë të vetëdijshëm se ky vit ka qenë shumë i vështirë për fermerët, jo vetëm të Mitrovicës, por edhe të rajonit dhe tërë Kosovës dhe në të njëjtën kohë jam i lumtur se me gjithë ato vështirësi, ata ia kanë dalë”, ka thënë mes tjerash Bahtiri.
Edhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Veton Rexha, ka përgëzuar fermerët duke thënë se fal punës së palodhshme të tyre, më nuk flitet për importe, por për plasim në treg të prodhimeve vendore. /Telegrafi/