Është hapur sot Panairi Regjional i Prodhimeve vendore “Gjilani 2015”, i cili është organizuar nga Drejtoria për Zhvillim Ekonomik e Komunës së Gjilanit, në bashkëfinancim me USAID-in.
Në hapjen e këtij panairi, në të cilin po i promovojnë produktet e tyre mbi 100 biznese, në mesin e të cilëve edhe minoritetet, ka marrë pjesë kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi, drejtori për Zhvillim Ekonomik, Ismail Januzi, përfaqësuesja e USAID-it, Marina Demitrievic, zyrtarë komunalë e qytetarë të shumtë.
Drejtori i DZHE-së, Ismail Januzi, ka thënë se qëllimi i këtij panairi është që bizneset të shkëmbejnë përvoja dhe të promovojnë produktet e tyre.
“Edhe vitin e kaluar kemi premtuar që do të vazhdojmë që ky panair të jetë tradicional si mundësi e mirë që bizneset të shkëmbejnë përvoja dhe të promovojnë produktet e tyre dhe njëkohësisht të përdoret edhe koha kur edhe diaspora është prezente. Synim yni është që produktet tona të gjejnë plasman edhe në tregjet e jashtme”, ka thënë Januzi.
Në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka folur kryesuesja e Kuvendit Valentina Bunjaku Rexhepi, e cila tha se në Gjilan, përmes këtij panairi, po u mundësohet bizneseve të Gjilanit që t’i promovojnë produktet e tyre.
Marina Demitrievic, përfaqësuese e USAID-it, është shprehur se përmes këtij aktiviteti, USAID-i ka për qëllim të përmirësoj komunikimin horizontal në mes të komuniteteve shumicë dhe jo shumicë, sikurse edhe promovimin e konkurrencës në mes të bizneseve të vogla dhe të mesme.
“Jam e nderuar që po marrë pjesë në këtë Panair që organizohet dhe përkrahet nga USAID-i. Përmes këtij aktiviteti, USAID-i ka për qëllim të përmirësoj komunikimin horizontal në mes të komuniteteve shumicë dhe jo shumicë. Gjithashtu, ka për qëllim që të përmirësoj angazhimin e qeverisë rreth komuniteteve jo shumicë dhe të ndihmojë lidhjen e tregjeve në mes të bizneseve shumicë dhe jo shumicë. Ne, gjithashtu, dëshirojmë të promovojmë konkurrencën në mes të bizneseve të vogla dhe të mesme”, u shpreh Demitrievic.
Panairi Regjional i Prodhimeve vendore “Gjilani 2015” është hapur për herë të parë vitin e kaluar me iniciativë të kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i cili tashmë është bërë tradicional. Panairi do të jetë i hapur për tri ditë me radhë. /Telegrafi/