Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) në bashkëpunim me GIZ-in kanë hapur në Prishtinë Panairin Nacional të Punës për vitin 2019.
Ministri i MPMS-së, Skender Reçica, tha se pas organizimit të panaireve në nivel lokal në shtatë qendra rajonale, ku u përpoqën të bëjnë bashkë punëdhënësit dhe punëmarrësit për t’u njohur me mundësitë e punësimit, sot po hapet panairi nacional i cili do të jetë në fokus të secilit punëkërkues dhe punëdhënës.
“Në këtë panair janë shpallur mbi 2000 vende të lira të punës dhe mbi 1000 mundësi për praktikë në punë. Uroj që deri në fund të ditës, këto vende të lira të punës të deklaruara nga punëdhënësit të plotësohen dhe punëtorët të dalin nga ky panair me një kontratë pune”, tha ministri.
Ministri tha se si Qeveri, mbeten të përkushtuar në adresimin e papunësisë në vend dhe përkushtimi i Qeverisë konsiston në orientimin e një zhvillimi të ri ekonomik të vendit.
“Veprimet konkrete që i kemi ndërmarrë si qeveri kanë bërë që dita ditës, klima e të bërit biznes në Kosovë është duke ndryshuar dhe ndryshimi i klimës së të bërit biznes mundëson gjenerimin e vendeve të reja të punës”, ka deklaruar ministri.
Reçica tha se është shumë e nevojshme që të përgatisim kuadro për nevoja të tregut të punës dhe vetëm nëse fillojmë t’i orientojmë të rinjtë tanë në karrierë mbi baza të nevojës së tregut të punës, do të kemi përmirësime sa i përket punësueshmërisë në vend. /Telegrafi/