Site icon Telegrafi

Hapet Panairi i Punës

Me rastin e 8-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës do të organizojnë Panairin e Punës 2016.

Hapja solemne bëhet në Sallën e Kuqe, Pallati i Rinisë dhe Sporteve duke filluar nga ora 09:00.

Në këtë aktivitet marrin pjesë Kryeministri Isa Mustafa, ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, udhëheqësit e odave ekonomike dhe biznese të shumta të Kosovës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Arban Abrashi, u ka bërë thirrje të rinjve që të marrin pjesë në Panairin e Punësimit, i cili organizohet nga kjo ministri së bashku me odat ekonomike, që veprojnë në Kosovë.

“Bashkëqytetarë të nderuar, punëkërkues, me rastin e ditës unike, ditë festive dhe krenarie për të gjithë ne, ditën e 8-vjetorit të Pavarësisë, nesër, bashkë me Odën Amerikane, Odën Ekonomike dhe Odën Gjermane, organizojmë Panairin e Punësimit”, ka thënë Abrashi.

Ai ka deklaruar se ky panair ka për qëllim t’i shpalosë qindra oferta punësimi, trajnimi dhe praktike, brenda dhe jashtë Kosovës. “Këtë do ta bëjnë bizneset e mëdha dhe të vogla, anëtare të odave. Larg nga platformat fiktive. Mundësi e mirë. Ejani në panair!”, ka shkruar Abrashi.

Në këtë panair do të prezantohen mbi 500 vende të reja pune. /Telegrafi/

Exit mobile version