Site icon Telegrafi

Hapet panairi i përgjithshëm “Shtëpia ime”

Është bërë sot hapja e panairit “Shtëpia ime”, i cili do të qëndroj i hapur për tri ditë radhazi. Panairi është i përgjithshëm, dhe po marrin pjesë dhjetëra kompani vendore dhe të huaja. Gjatë këtyre ditëve, vizitorët mund të gjejnë produkte dhe shërbime nga më të ndryshmet që mund t’i duhen shtëpisë së tyre.

Hapjen e këtij panairi e bëri Avdullah Hasani, kryetari i Këshillit të Rinisë Evropiane të Kosovës i cili falënderoi studentët për angazhimin e tyre në organizimin e këtij panairi si dhe kompanitë që e ndihmuan atë.

“Jam i lumtur që gjendemi në një event ku të rinjtë kanë organizuar një ngjarje të tillë. Ky panair është organizuar në kuadër të projektit për aftësimin profesional së të rinjve në Republikën së Kosovës. Falënderoj të rinjtë për punën e tyre të vazhdueshme, kompanitë pjesëmarrëse dhe institucionet e Kosovës të cilat na kanë mbështetur vazhdimisht për iniciativa të tilla rinore”, tha ai

Ai gjithashtu ka paralajmëruar se gjatë vitit 2016, KREK në bashkëpunim me Odën Ekonomike dhe biznese të tjera si dhe donatorë ndërkombëtar do të ofrojnë mundësi për punë praktike 1500 të rinjve të Kosovës.
Zëvendësministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti u shpreh se “Prodhimeve vendore gjithmonë duhet t’u ofrohet hapësirë e veçantë, mbështetja e prodhimeve qe bëhen në Kosovë fuqizojnë ekonominë tonë. Në anën tjetër, duke iu ofruar studentëve trajnime dhe seminare që të pajisen me certifikata do të ju mundësoj atyre që nesër të konkurrojnë në tregun e punës.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu përgëzoi organizatorët e panairit duke thënë se: “Dua të besoj se përmes këtij panairi po jepet një mesazh i qartë se rinia kosovare dëshiron të ketë edukim dhe ardhmëri të mbështetur në sundim të rendit dhe ligjit dhe në ekspertizë shkencore”.

Ky organizim u vlerësua si shumë i dobishëm për studentët të cilët mund të bëjnë punë praktike dhe të fitojnë njohuri në kuadër të tij. Ndërsa panairin “Shtëpia ime” e cilësuan si një vlerë të shtuar për të rinjtë dhe shtetin tonë.

Panairi “Shtëpia ime” është organizuar nga Këshilli i Rinisë Evropiane të Kosovës dhe studentë të shkencave ekonomike ndërsa e ka implementuar kompania PR Solutions. Ata presin që panairin ta vizitojnë mbi 5000 vizitorë. Ndërkaq, ky është sesioni i dytë, i cili organizohet nga të rinjtë në kuadër të programit për aftësimin profesional në Kosovë./Telegrafi/

Exit mobile version