Është hapur panairi i biznesit në Prishtinë ku po marrin pjesë kompani të ndryshme të prodhuesve vendor, i cili është organizuar nga Këshilli i Rinisë Evropiane të Kosovës. Me këtë rast, ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Ismet Mulaj, tha se kjo ministri po i mbështet në vazhdimësi të rinjtë që ti zhvillojnë bizneset e tyre.
Sipas tij, organizimi i panaireve tregon se po zhvillohen bizneset. “Si ministri e Tregtisë dhe Industrisë ndihem krenar, me mbështetjen e të rinjve që të krijojnë biznese. MTI në bashkëpunim me Komisionin Evropian i ka ndarë 4milion euro në ndihmë të bizneseve të cilat e kanë prioritet prodhimin, prodhimin do të thotë që të prodhohet në Kosovë. Jam i bindur që shumë nga këta të rinj që sot janë pjesë e këtij panairi do të jenë përfitues i këtij granti, një grant prej 4 milionësh të cilin po e ndan MTI”, ka thënë ai.
Kurse, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se Kosova nuk mund të integrohet në Evropë pa ekonomi dhe se integrimi, siç ka thënë ai, duhet të bëhet përmes ekonomisë.
“Është utopike të mendohet se Kosova do të arrij integrim politik pa integrim ekonomik dhe këtë integrim ekonomik duhet vërtetë ta marrin në dorë të rinjtë dhe në partneritet me komunitetin e biznesit, me këta heronj që i shoh përballë, vërtetë janë shtylla e përshpejtimit të këtyre proceseve”, tha ai.
Ndërsa, kryetari Këshillit të Rinisë Evropiane të Kosovës, Avdullah Hasani, ka thënë se një organizim i tillë duhet të bëhet në vazhdimësi dhe të bëhet traditë në Kosovë. /Telegrafi/