Telegrafi

Hapet Oda Tregtare Turke

Ministri Yazicioglu u shpreh se Kosova do të zhvillohet ekonomikisht dhe në këtë rrugë do të ketë mbështetjen e Turqisë.

“Kosova është një vend i cili është duke e kryer procesin e ndërtimit, ndërsa hapja e Odës Tregtare Kosovare-Turke do të ndihmojë që të ketë investime në Kosovë nga biznesmenët nga Turqia”.

Ai shfaqi bindjen se në një të ardhme të afërt, do të themelohen marrëdhënie dypalëshe në nivel të ambasadave.

“Aktualisht është duke u bërë njohja e pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare, por është duke u punuar edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik. Në vizitat që i kemi bërë në Prishtinë dhe Prizren kemi parë aktivitetet që janë duke u zhvilluar këtu, kemi parë aktivitete kryesisht në restaurimin e monumenteve historike nga periudha osmane, të cilat janë pasuri e Kosovës dhe janë shumë të rëndësishme”.

Ai këto komente i bëri të hënën me rastin e hapjes së objektit të Odës Tregtare Kosovare-Turke në Prishtinë, në të cilën morën pjesë zyrtarë të Kosovës, Oguz A. Turkeli, drejtor i Kompanisë Ajrore “Turkish Airlines” për Kosovë dhe afaristë të shumtë.

Ndryshe Oda Tregtare Kosovare-Turke është hapur zyrtarisht më 1 korrik. Ajo do të jetë një urë lidhëse midis bizneseve kosovare dhe turke, dhe do të thellojë bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve dhe do të nxisë investimet e bizneseve turke në Kosovë. /Telegrafi/