Site icon Telegrafi

Hapet lista e pritjes për Lightyear 2 – sedani elektrik me energji diellore

Kompania holandeze Lightyear ka dhënë disa pamje paraprake të modelit të gjeneratës së dytë të veturës me energji diellore, për të cilën pretendon se do ta bëjë të lehtë, të përshtatshme dhe ekonomike blerjen e një veture elektrike.

Vetura e re elektrike, e quajtur Lightyear 2, u prezantua në eventin CES në Las Vegas dhe është vetura e dytë e kompanisë pas veturës Lightyear 0, e cila momentalisht është duke u prodhuar në fabrikën Valmet Automotive në Finlandë.

Tani veçse ekziston një listë e pritjes për këtë veturë, për të cilën Lightyear pretendon se do të ketë çmim prej pak më pak se 40 mijë euro (35,420 funte). Ky çmim është më i lartë se çmimi që kompania e synonte në muajin nëntor – 30 mijë euro – por që është rreth 6 herë më i lirë se çmimi i Lightyear 0 – 250 mijë euro, raporton Arena EV, përcjell Telegrafi.

Lightyear planifikon të fillojë prodhimin e 2 në 2025 dhe synon ta shesë atë në Mbretërinë e Bashkuar, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Qëllimi i kompanisë është të dërgojë deri në 100,000 njësi në vit.

Prodhuesi pretendon se Lightyear 2 do të ketë një rreze të vozitjes prej 800 kilometrave (497 milje) me një mbushje, dhe do të prodhojë gjysmën e sasisë së CO2 gjatë jetëgjatësisë së tij në krahasim me një veturë tradicionale elektrike me bateri, duke e bërë atë automjetin me emetimin më të ulët të karbonit në treg.

 

Pritet që Lightyear 2 të ndajë disa elementë me Lightyear 0. Megjithatë, nuk është publikuar ende asnjë informacion rreth fuqisë, baterisë ose performancës së modelit të ri “2”.

Lightyear 0 ka një motor në çdo rrotë dhe një bateri prej 60kWh, e cila i jep një distancë të pretenduar prej afro 1 mijë kilometrave (620 miljesh) dhe një kohë modeste të arritjes së shpejtësisë prej 0 deri në 100 km/h prej 10 sekondash. /Telegrafi/

Exit mobile version