Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV) ka shpallur thirrje publike për ndërtimin e 100 megavatëve elektrana fotovoltaike në TEC Osllomej, në rrugën e partneritetit publiko-privat, gjegjësisht dy elektrana me nga 50 megavat.
Sipas kushteve në shpalljen e publikuar, elektranat me investim në vlerë prej 80 milionë eurove, do të duhet ta ndërtojë partneri privat, ndërsa EMV, do ta sigurojë lokacionin, rrugët dhe balancimin e energjisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Të drejtë për aplikim kanë të gjitha kompanitë vendore dhe të huaja, ndërsa tenderin do ta fitojë ofertuesi i cili EMV do t’i ofrojë përqindje më të lartë nga rryma e shitur për balancimin e energjisë.
Siç informoi sekretari i përgjithshëm i EMV, Vasko Kovaçevski, në seancën e sotme në qeveri, marrëveshja për partneritet publiko-privat do të jetë 35 vjet, ndërsa partneri privat do të duhet EMV-së t’ia dorëzojë pronësinë e elektranave fotovoltaike./Telegrafi/