Koalicioni i OJQ-ve për Javën kundër Korrupsion në përbërje të të cilit janë 11 organizata të shoqërisë civile sot hapën Javën Kundër Korrupsion duke shpalosur kalendarin e aktiviteteve që do të mbahen deri më 13 dhjetor.
Gjatë kësaj jave do të trajtohen çështje që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit në qeverisje, prokurim publik, shëndetësi e arsim, teksa fokusi kryesor do të jenë sinjalizuesit, mbrojtja e tyre dhe ligji për sinjalizuesit, i cili është miratuar këtë vit.
Arbëresha Loxhaj nga GLPS tha se organizata e saj do të trajtojë temën e reformave në sistemin e drejtësisë pasi konsiderojnë se reformat e deritashme kanë dështuar të prodhojnë rezultate konkrete dhe të adresojnë në thelb problemet e sistemit të drejtësisë.
Ajo shtoi se sistemi i drejtësisë nuk duhet të jetë një arenë ku ministritë ose qeveritë tentojnë të testojnë mekanizma të ndryshëm dhe t’i shfrytëzojnë ato për përfitime politike.
“Reformat e sistemit të drejtësisë duhet përfundimisht të adresojnë problemet kyçe dhe thelbësore që ka sistemi i drejtësisë në Kosovë. Disa prej këtyre problemeve të cilat janë identifikuar nga shoqëria civile por edhe nga raportet ndërkombëtare mbetet mungesa e efiçiencës në punën e gjykatave në shumicën e rasteve. Kualiteti i ciklit të vendimmarrjes duke filluar nga procesi i hetimit të ngritjes së aktakuzave dhe procesi i fillimit të gjykimit deri te marrja e një vendimi final por edhe mungesa e plotë besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Ne konsiderojmë që të gjitha këto probleme mund të adresohen në qoftë se kemi një qeveri që ka vullnet politik për të reformuar sistemin e drejtësisë. Çështja e influencës mund të adresohet vetëm me veting dhe vetingu përveç përfshirjes të gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të përfshijë edhe pozitat të tjera të cilat ja në të ekspozuara ndaj korrupsionit, përfshirë edhe zyrtarë të prokurimit publik, Dogana, ATK dhe AKI-në”, tha ajo.
Saranda Ramaj nga Instituti Columbus tha se ata do të organizojë një tryezë në lidhje me fondin për trajtim jashtë vendit. Sipas saj, korrupsioni që prek pacientët është dyfish më i rëndë prandaj edhe e kanë zgjedhur këtë temë duke i ditur sfidat që i kalojnë pacientët.
Ajo tha se sistemi shëndetësor në Kosovë nuk është ende i konsoliduar, duke pasur parasysh edhe buxhetin e vogël që ndahet për këtë kategori, megjithatë në Kosovë nuk dihet ende se ku përfundon fondi për trajtim jashtë vendit.
“Çdo vit buxheti i Kosovës shpenzon 12 milionë euro për trajtim jashtë institucioneve publike, janë mijëra pacientë të cilët presin në radhë dhe vetëm disa prej tyre marrin këto shërbime, ky fond është i dedikuar kryesisht për institucionet private jashtë Kosovës. […] Nuk kemi ndonjë auditim të zyrës së auditorit në lidhje me këtë fond dhe ne duam ta dimë përmes kësaj javë të krijojmë momentum që të fillojmë të bëjmë presion institucioneve për mënyrën se si shpenzohet ky fond. Çdo gjë është më e kalueshme, por kur është çështja e shëndetit besoj që pajtoheni të gjithë që qytetarët duhet të kenë siguri të plotë që ai fond i dedikuar është duke u shpenzuar në linjë me nevojat dhe në mënyrë reale”, tha Ramaj.
Betim Musliu nga IKD foli për aktivitetet e tyre, ku prej tyre dy janë prezantimi i dy dokumentarëve. Njëri prej tyre “Sinjalizuesit e korrupsionit” do të shfaqet sot në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, autori të cilit është vet ai.
“Ky dokumentar do të shfaq praktikat e mira të sinjalizimit të shkeljeve dhe mbrojtjes së sinjalizuesve, të cilat i referohen rasteve të hulumtuara në disa shtete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku vet disa protagonistë do të tregojnë historitë e tyre nga sinjalizimi deri të mbrojtja e tyre”, tha ai.
Po ashtu, Musliu foli për ligjin për sinjalizues i cili edhe pse ka një vit që ka hyrë në fuqi thotë se ka ngecje për shkak të mungesës së legjislacionit sekondar, transmeton KP.
“Është fatkeqësi që në këtë fazë ku ne po flasim edhe pse kemi një vit të hyrjes në fuqi të Ligjit për sinjalizuesit ende nuk e kemi të hartuar legjislacionin sekondar i cili do të mundësojë zbatimin e ligjit për sinjalizues në këtë rast ka një dështim të Ministrisë së Drejtësisë e cila nuk e ka sjellë rregulloren përkatëse që të qartësojë të gjitha procedurat se qysh trajtohet një rast prej fillimit deri në fund që i takon sinjalizuesve”, tha ai.
Arben Kelmendi nga KDI tha se edhe këtë vit kanë zgjedhur të merren me çështjen e financave të subjekteve politike.
Duke kujtuar Projektligjin për financimin e subjekteve politike, Kelmendi tha se KDI gjatë javës kundër korrupsionit ka sjellë ekspertë çekë të fushës, do të organizojë një tryezë si dhe përgatitur një fushatë vetëdijësuese që do të transmetohet nëpër media.