Telegrafi

Hapet gara për telefonin e tretë mobile

Bordi i Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka marrë vendim për hapjen e garës për telefonin e tretë mobile dhe brezin e ri frekuencor për territorin e Kosovës.

Ky autoritet më 12 mars ka marrë vendim që të hapet ankandi publik për brez të ri frekuencor, që nënkupton hapje të tenderit për telefoninë e tretë mobile. Kjo është bërë e ditur nga kryetari i bordit të ARKEP, Ekrem Hoxha, në një intervistë për “KosovaPress”.

Hoxha ka thënë se edhe operatorët tjerë mobil që janë të licencuar në Kosovës si Vala, Ipko, Z mobile e D3 kanë të drejtë pjesëmarrje në garë. “Pikërisht këtu është ajo esenca e garës, ankandi dhe tenderi si kategori ligjore nuk mundësojnë vendosjen e kritereve diskriminuese në një ankand të hapur ku përcaktohen kriteret. Çdo ndërmarrje qoftë vendore çoftë ndërkombëtare e cila i plotëson kriteret e pjesëmarrjes të kualifikimit teknikisht dhe ligjërisht është e pranueshme për pjesëmarrje”, ka thënë ai.

Hoxha ka shtuar se ata që i plotësojnë kriteret e fitojnë të drejtën e blerjeve të resurseve, kjo nënkupton se mund të kemi edhe një operator të tretë të telefonisë mobile. “Në qoftë se e fiton të drejtën e blerjes së resurseve paguan çmimin dhe i ka atributet që i kërkon gara si kritere, atëherë praktikisht çka nënkupton kjo është se mund të kemi edhe një operator të rrjetit, operatorë të tretë në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas Hoxhës kjo është garë ndërkombëtare dhe nuk mund të ketë diskriminime edhe për operatorët serb. Ai ka thënë se ARKEP e ka përkrahur Qeverinë e Kosovës gjatë procesit të dialogut me këshillë dhënie në zbatim të ligjit, ndërkohë Hoxha kujton se tash e 15 vite sektori i telekomunikacionit është penguar në zhvillim normal, kryesisht si pasojë e operimeve të pa autorizuara të operatorëve serb. Sipas tij marrëveshja e shtatorit 2013 për telekomunikacion parasheh rrugën dhe modalitetet se si të ndalohen këto operime të pa autorizuara dhe ilegale. Dhe një pikë e veçantë e kësaj marrëveshje parasheh edhe afatet kohore deri kur nuk mund të organizohet tender apo ankand ndërkombëtar.

“Në parim gara është e hapur. Çdo palë, përfshirë edhe operatorët nga Republika e Serbisë, kanë të drejtë interesimi dhe pjesëmarrje në tender apo ankand dhe rregullat i vendos Autoriteti në bashkëpunim me Qeverinë. Në qoftë se flasim për tenderin, meqë ne ende nuk kemi vendosur nëse mund ta quajmë tender apo ankand, dhe aty mund të diskutohen dhe analizohen shprehjet e interesit që mund të vijnë qoftë edhe nga operatorët nga Republika e Serbisë”, ka thënë Hoxha.

Kryetari i bordit të ARKEP-it, thotë se është hapur procesi dhe aktualisht ata kanë pranuar një aplikacion si të rregullt, që është nga Ipko. Hoxha tregon se ende nuk kanë vendosur për çmimin e shitjes së këtyre resurseve që do të ofrojnë brez të ri frekuencor. “Ne e kemi hap procesin dhe e kemi kualifikuar një aplikacion si të rregullt dhe brenda 42 ditëve duhet të marrim vendim për çmimin…kriteret tjera janë të vendosura. Do të vendosim për çmimin dhe do të vendosim për modelin e garës. Tender ose ankand, në qoftë se shkohet me tender atëherë rregullat i përcakton Qeveria dhe ne i zbatojmë, kështu e përcakton ligji. Ndërkohë nëse shkohet me ankand atëherë rregullat dhe procedurat i administron ekskluzivisht Autoriteti”, ka thënë Hoxha, për Kosova Press.

Hoxha ka thënë se këto vendime, që janë marrë dhe do të merren, janë të ligjshme, ani pse anëtarëve të Bordit ju ka skaduar mandati ligjor. /Telegrafi/