Sot është hapur zyrtarisht Festivali i Turizmit “Peja Outdoor Tourism Festival”.
Ky festival u hap me një konferencë e cila filloi në orën 10:30 në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, teksa vazhdoi me fjalimet përshëndetëse dhe shfaqjen e videove promovuese të Pejës.
Festivali ka edhe dy panele diskutimi: “Turizmi i Aventurës dhe ndikimi i tij në zhvillimin ekonomik” si dhe “Zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit karshi degradimit mjedisor”.
Në panelin e parë “Turizmi i Aventurës dhe ndikimi i tij në zhvillimin ekonomik” folës janë: Nastret Hajrizi, Drejtor i Drejtoratit për Zhvillim Ekonomik, Lumturie Geci, nga Departamenti i Turizmit, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Ekrem Hyseni, Këshilltar në GIZ, Lulzim Krasniqi nga Swisscontact.
Në panelin e dytë “Zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit karshi degradimit mjedisor” folës janë: Lulzim Shala, Inspektor në KRM “Ambienti” në Pejë, Fadil Alija, Ekspert i Zonave të veçanta Strikte – Parku Kombëtar “Bjeshkët e Nemura”, Arianit Nikqi, Kryetar i Federatës Bjeshkatare të Kosovës dhe Urim Xharavina, Drejtor Ekzekutiv i “Lets’s Do it Peja”.
Pas konferencës, në orën shtatë në Galerinë e Arteve, të gjitha shoqatat e Pejës që merren me aktivitete outdoor do të kenë një ekspozitë promovuese tek Galeria e Arteve.
Ndërkaq në orën 20:00 deri në 23:00 keni mundësinë të ndjekni live Muzikë DJ dhe performance live të grupit City Center.
Peja i thërret aventurierët me një premtim të autenticitetit dhe emocionimit të pashembullt. Për datat 24, 25 dhe 26 maj, Kosova pret këtë festival për herë të parë. Ky festival është porta juaj për në peizazhet mahnitëse dhe trashëgiminë e pasur kulturore të Pejës, duke ndërthurur aktivitetet emocionuese në natyrë me sharmin e traditave lokale.
Nisni një mori aventurash që ju presin: ecje në natyrë, çiklizëm, ngjitje në shkëmbinj, paragliding, speleologji dhe shumë të tjera, duke përfshirë edhe udhëtimet në shtigjet kulturore të Pejës, të gjitha këto dhe shumë më tepër ofrohen FALAS. Mos humbisni udhëtimet gjithëpërfshirëse përgjatë shtigjeve kulturore historike të Pejës, të gjitha të krijuara për të ofruar një përvojë të paharrueshme.
Pjesëmarrës në festival janë disa nga emrat e njohur publik si: Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi si dhe Mrika Nikqi.
Bëhuni edhe ju pjesë e kësaj mundësie të jashtëzakonshme.
“Peja Outdoor Tourism Festival” po ju pret!