Telegrafi

Hapet ekspozita “Shqiptarët në shekuj”

Rreth 150 punime, të mbledhura nga koleksionistët Fotaq Andrea e Dritan Muka, reflektojnë vëmendjen dhe përkushtimin e piktorëve të huaj ndër shekuj, ndaj historisë së kombit shqiptar, trashëgimisë së tij kulturore dhe identitetit evropian të shqiptarit.

Në ceremoninë e hapjes, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli shprehu kënaqësinë e veçantë që, ekspozita me gravura çelet me ditëlindjen e kombit, ditës së pavarësisë.

“Kjo ekspozitë me gravura të autorëve të huaj është unike e këtij lloji dhe paraqet një reflektim të momenteve më të jashtëzakonshme të historisë së vendit tonë, përpjekjeve epike të popullit tonë. Në këtë ekspozitë kemi mundësinë që të shohim historinë që nga ilirët, epoka e Mbretëreshës Teuta, betejat e lavdishme të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit dhe përpjekjeve për liri e pavarësi”, u shpreh ajo.

Ndërkaq drejtori i Galerisë së Arteve, Rubens Shima, tha se “gravurat pasqyrojnë përfytyrime romantike të të huajve që kanë vizituar Shqipërinë që nga antikiteti deri në gjysmën e parë të Shekullit XX, duke na dhënë informacione të hollësishme për traditat, doket veshjet dhe zakonet e shqiptarëve, në rrjedhën e shekujve”.

Koleksionisti Fotaq Andrea shprehu mirënjohjen të thellë për Kryetaren e Kuvendit që siç u shpreh ai, me dashamirësi dhe fisnikëri , bëri të mundur hapjen e kësaj ekspozite, me dokumente kaq origjinale, të rralla dhe me vlera historike.

Në hapjen e ekspozitës morën pjesë, përfaqësues të trupit diplomatik, drejtues të institucioneve, intelektualë dhe emra të njohur të artit dhe kulturës. /Telegrafi/