Site icon Telegrafi

​Hapet ekspozita shitëse “Bota përmes syve të mi” nga shoqata Down Syndrome Kosova

Organizata për Arsim, Kulturë dhe Demokratizim “Plus” në bashkëpunim me Shoqatën Down Syndrome Kosova kanë hapur sot ekspozitën shitëse “Bota përmes syve të mi”.

Ekspozita përmban fotografi të realizuara nga të rinjtë, anëtarë të Shoqatës Down Syndrome Kosova, në kuadër të programit të trajnimit për fotografi të realizuar.

Drejtoresha e Down Syndrome Kosova, Sebahate Beqiri, tha se institucionet e vendit duhet të bëjnë më shumë për të ndihmuar fëmijët me sindromën down.

“Sot jemi me një ekspozitë me fotografi nga personat me Sindromën Dow. Ky aktivitet është i organizatës Plus mbështetur nga ‘Caritas Kosova’. Në kuadër të këtij projekti janë inkuadruar personat me sindromën down në kursin e fotografisë. Përmes kësaj ekspozite ashtu sikur edhe përmes aktiviteteve të tjera, ne përçojmë mesazh mbi potencialin e personave me sindromën down, mirëpo njëherë edhe sot pikërisht sot këtu në këtë ekspozitë, kërkojmë nga institucionet publike përkatëse që realizimi i të drejtave me personat e sindromës down të jetë prioritet, sepse kjo ekspozitë është fakti më i mirë që nëse një individ me sindromën down ka mbështetjen e duhur ai mund të jetë kontribut dhënës për shoqërinë dhe gjithashtu mund të japë vlera mbarë artistike siç i kemi sot këtu “, tha Beqiri.

Ndërkohë Ridvan Slivova, nga organizata për Arsim, Kulturë dhe Demokratizim ‘Plus’ tregon se kjo organizatë një ekspozitë të tillë po e organizon për herë të dytë.

“Kjo është ekspozita e dytë e këtij lloji. Pa mbështetjen e donatorëve nuk kemi mundur të fillojmë një ekspozitë të tillë. Donatorët kanë qenë përkrahësit tonë. Kësaj radhe kemi ‘Caritas Kosova’, ndërsa në bashkëpunim me Down Syndrom, kemi bërë një bashkëpunim të mirë me ta ku, të rinjtë e grupit Down Syndrom Kosova arritëm të bëjmë një trajtim të thjeshtë dhe ishte një kënaqësi të punojmë me ta. Organizata Plus e bën për herë të dytë ekspozitën shitëse ku të hollat që mblidhen të gjitha dedikohen në Down Syndrom Kosova. Shitjen do ta bëjnë drejtpërdrejtë anëtarët e Down Syndrom Kosova edhe të hollat shkojnë drejtë për këta të rinjtë, d.m.th asnjë përqindje për ne, qind për qind do të shkojnë të hollat në organizatën e tyre. Fotografitë janë transparente nuk është fotografi në letër është më artistike, është punim në dru, është punim dore”, ka thënë ai.

Të gjitha mjetet e grumbulluara do t’i dedikohen Shoqatës Down Syndrome Kosova për zhvillimin e mëtutjeshëm profesional të të rinjve.

Ekspozita shitëse me fotografi të transferuara në dru është mbështetur nga Caritas Kosova në kuadër të projektit “SOCIETIES 2 – Mbështetja për Organizatat e Shoqërisë Civile në fuqizimin e shkathtësive teknike, përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara dhe standardet e BE-së në Ballkanin Perëndimor”.

Exit mobile version